Rusia miraton rezolutë për njohjen e territoreve në Donbas

Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Dumës Shtetërore, ka votuar në favor të dërgimit të një rezolute te presidenti Vladimir Putin, për t’i kërkuar atij që të njohë dy rajonet në lindje të Ukrainës, të cilat janë të kontrolluara nga separatistët që mbështeten nga Rusia.

Kryetari i Dumës Shtetërore, Vyacheslav Volodin, anëtar i partisë në pushtet, tha se ligjvënësit votuan më 15 shkurt dhe ai do ta nënshkruajë menjëherë rezolutën, e cila do t’i dërgohet Putinit për shqyrtim.

Ky vendim, nëse miratohet nga Putini, do të mund të përshkallëzonte edhe më shumë tensionet me Perëndimin lidhur me grumbullimin ushtarak rus pranë kufirit me Ukrainën. Besohet se në kufi Rusia ka vendosur 130,000 trupa, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta sulmojë Ukrainën. Rusia ka mohuar se ka plane të tilla dhe e ka akuzuar Perëndimin se me histerinë e tij po krijon krizë.

Njohja e Republikave të vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut – që njihen me termin Donbas – gjithashtu mund t’i jepte fund procesit të paqes së Minskut në lindje të Ukrainës, ku nga konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Moska, që nga prilli i vitit 2014 janë vrarë mbi 13,200 persona.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve në Moskë se ende nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me njohjen e rajoneve të kontrolluara nga separatistët.

Separatistët, që kanë marrë kontrollin e territoreve që prej prillit të vitit 2014, i quajnë ato Republika Popullore e Donetskut (DNR) dhe Republika Popullore e Luhanskut (LHR).

Rusia ka kërkuar që Ukraina të zbatojë marrëveshjet e Miskut, që sipas Moskës, i japin status special territoreve të kontrolluara nga separatistët, duke iu dhënë atyre më shumë autonomi brenda Ukrainës.

Kievi hedh poshtë këto kërkesa, duke argumentuar se kjo është një përpjekje e Kremlinit për të federalizuar Ukrainën dhe për të marrë kontrollin e shtetit.

Rusia i ka ofruar separatistëve mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike. Pavarësisht të dhënave, Moska mohon se është e përfshirë në çështjet e brendshme të Ukrainës.

Më herët gjatë këtij muaji, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Ukraina asnjëherë nuk do t’i japë status special rajoneve të kontrolluara nga separatistët në Donbas./REL


Shtuar 15.02.2022 14:56