Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Gent Sejkon si Guvernator të Bankës së Shqipërisë me një mandate 5 vjeçar.
Kreu i Shtetit thotë se e dekretoi Sejkon pasi ndoqi me vëmendje zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Presidenca shprehet se vlerëson politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.
“Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid”, shprehet Meta duke shtuar ndërkohë se në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë,
Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.