Nënë Liza së bashku me një grup banorësh të “5 Majit” në lagjen ku u shembën banesat, ndodhen në Komisionin e Ligjeve dhe po flasin për shqetësimet e tyre.
Ndërsa nënë Liza ka parashtruar kërkesat duke hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për mospraninë e tij në këtë përballje, ka ndërhyrë Klotilda Bushka e cila e ka pyetur nëse ka ardhur për politikë apo për hall.
Kjo pyetje ka bërë që nënë Liza të ngrihet në këmbë dhe të mos kurseja as kryetaren e Komisionit të Ligjeve.
Pjesë nga debati
Nënë Liza: E kam ditur se do vdes, por se do vij këtu, jo. Edhe po të isha në gjak do më kishin vrarë një njeri dhe jo 13 vetë të familjes. Veliajt i kemi thënë të vijë dhe të na caktojë një datë e një ditë e një kontratë të rregullt se ku do të marrim shtëpinë. Por s’ka pranuar të vijë. Bashkisë i kemi bërë thirrje të vijë. Për të më gënjyer s’më gënjen dot as Veliaj as Rama. Ne duam shtëpi. Mos me e nxjerrë popullin jashtë. S’jemi serbë as në Afganistan… Çfarë po bëhet në këtë shtet a ka ligje, a s’ka ligje, a ka njerëz a s’ka njerëz ne nuk jemi duke i dhënë dum. Me i përdorur njerëzit sikur po i përdor shteti jonë, e me i nxjerr jashtë. Unë ende fle në rrënoja. 3 kate shtëpi sot janë kasolla.
Bushka: Zonja Liza që t’ju dëgjojmë, na flisni për problemin tuaj, që t’ju dëgjojmë…
Nënë Liza: Kush është një prej jush që e jep shtëpinë. Ne duam drejtësi. Shtet s’ka, gjykatë s’ka. Ne s’kemi qenë çobanë, kemi qenë familjarë të rregullt, me taksa e të gjitha. Unë ia dua metrat shtetit një më një. Të bëjë një shtet kështu, një kryetar bashkie që të mos pranojë të vijë të ballafaqohet. Unë i kam marrë te komshinjtë rrobat, ilaçet jo, lekët e bukës brenda. Turpi i botës për shtetin shqiptar. Ne kujtojmë se jemi duke hyrë në Evropë, por jemi duke hyrë në gropë me këtë shtet. Ne kërkojmë kryetarin e bashkisë të vijë këtu, se te populli s’vjen se ka frikë se e vret kush. Ku do shkojmë ne. Kryetari i bashkisë nëse është burrë të vijë në shesh të burrave.
Bushka: Nëna Liza ke ardhur për politikë apo për hallin tënd? Të ngelemi te shqetësimi që keni
Nënë Liza: Prit, prit… Unë dua kontratën e rregullt… Unë do rri të vdes në rrënoja dhe s’dal nga shtëpia. Mos t’u vijë keq fare unë jam malësore dhe s’tremben as prej teje. 16 me 9 e kam tensionin tani. Duro njëherë, kryesorja se je grua. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë kontratën e rregullt, me vulë dhe firmë.
Sot banorët e “5 Majit” janë thirrur në një seancë dëgjimore me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtorin e Policisë, Gledis Nano dhe Avokatin e Popullin lidhur me shembjen e banesave të tyre. Mungesa e kryebashkiakut ka sjellë pakënaqësi të opozitës. Por jo vetëm kaq, ata janë të revoltuar sepse edhe drejtuesi i policisë së shtetit u largua menjëherë pasi bëri një rezyme se çfarë kishte ndodhur sipas tij te “5 Maji”./albeu.com