Gledis Nano “i tërheq veshin” policëve të Shkodrës: Luftoni krimin me zero tolerancë dhe bastisni “shtëpitë e barit”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i ka bërë apel policisë vendore të Shkodrës që të intensifikojnë luftën ndaj krimit të organizuar.

Nano kërkoi nga policia vendore e Shkodrës zero tolerancë ndaj krimit dhe goditjen e çdo grupi dhe individi kriminal.

Ai i bëri këto deklarata të prera gjatë analizës njëvjeçare në Shkodër me forcat e policisë, ndërsa kërkoi dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit.

Ndërkohë, drejtori i policisë vendore të Shkodrës, Hamdi Fjora, tha gjatë analizës njëvjeçare se viti 2021 ka njohur një rritje të kriminalitetit krahasuar me vitin 2020.

Drejtori i policisë së Shkodrës veçoi zbardhjen e vrasjes së Endri Mustafës në fund ta majit të vitit të kaluar (2021), duke thënë se në ngarkim të autorit ka të dhëna se ka kryer disa vrasje në tri vitet e fundit në Shkodër, duke iu referuar Ibrahim Licit, i cili është ende një person i shpallur në kërkim.

Sipas tij, në vitin që lamë pas shqetësuese për policinë e Shkodrës është edhe rritja e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike krahasuar me 2020-ën. Kreu i policisë së Shkodrës tregoi edhe prioritetet e këtij viti.

Më tej, ai theksoi se një rritje kanë pësuar rastet e trafiqeve të paligjshme dhe krimi ekonomik financiar, ndërsa kanë pësuar ulje krimet kundër pronës dhe mjedisit. Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, u shpreh se qeveria shqiptare ka mundësuar të gjitha kushtet për policinë, që të luftojë krimin. Edhe ajo kërkoi zero tolerancë ndaj krimit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka qëndruar për rreth dy orë në takimin e zhvilluar në Shkodër./albeu.com/


Shtuar 27.01.2022 10:47