“Faleminderit për kujdesin e veçantë ndaj Shqipërisë’, Meta urim Papës

Presidenti Ilir Meta ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ku ka uruar Papa Françeskun.
 
Meta uron papën për tetë vjetorin në krye të Vatikanit.  Mes rreshtash, Kreu i Shtetit i shpreh mirënjohjen Papa Françeskut për përmbushjen me sukses të misionit hyjnor.
 
Po ashtu, ai e falenderon për mbështetjen, ndihmën dhe kujdesin e veçantë që i kushton popullit shqiptar dhe Shqipërisë.

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta

Shenjtëria Juaj, Papa Françesku,

Me rastin e 8-vjetorit Tuaj Papnor, kam kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta, si dhe t’Ju uroj sukses të plotë në përmbushjen me sukses të misionit Tuaj hyjnor.

Në këto kohë plot sfida që po kalon njerëzimi, mesazhet e dhëna nga Shenjtëria Juaj, janë inkurajuese për mbarë botën dhe njerëzimin, janë mesazhe shprese për të ardhmen e begatë dhe në paqe për të gjithë dhe tepër frymezuese për ta kaluar sa më lehtë edhe pandeminë, këtë të keqe më të cilën po luftojmë të gjithë.

Duke Ju falënderuar me mirënjohje për ndihmën, vëmendjen dhe kujdesin e veçantë që Ju At i Shenjtë dhe Selia e Shenjtë i kushton popullit shqiptar dhe Shqipërisë, në dobi të ringritjes shpirtërore, forcimit të harmonisë ndërfetare dhe të përpjekjeve për t’u integruar në Bashkimin Europian, si dhe me vullnetin e palëkundur për t’i forcuar e pasuruar më tej lidhjet institucionale e shpirtërore, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Zoti ju dhëntë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për të mirën e njerëzimit! /albeu.com/


Shtuar 13.03.2021 17:26