Kryeministri i tetë i Maqedonisë së pavarur, Kovaçevski, mbajti seancën e parë të qeverisë së re, në ditën e tij të parë si kryeministër.
I priti edhe mysafirët e parë, ministren gjermane për Evropë, Ana Lirman dhe ambasadoren amerikane Kejt Meri Bërns. Paraprakisht Kovaçevski zhvilloi takim me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski për ta prezantuar kabinetin e ri. Tha se pret bashkëpunim të mirë me shefin e shtetit, ndërsa si prioritete kryesore i paralajmëroi krizën energjetike, standardi jetësor të qytetarëve, duke shtuar se do të angazhohet për përmirësimin e bashkëpunimit me opozitën.
“Qeveria e re qartë definoi prioritetet për punë. Prioriteti i parë kryesor është përballja me krizën energjetike në vend, e cila është krizë energjetike evropiane e cila ndjehet edhe në RMV. Prioriteti i dytë është përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve dhe mbështetja e kompanive në aspekt të krizës ekonomike që buron nga kriza energjetike. Është normale që me z.Mickoski do të kemi komunikim dhe do të bisedojmë për të gjithë temat që kanë të bëjnë me gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë në drejtim të përmirësimit të gjendjeve në gjithë sferat”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
I pyetur se pse nuk ka ndryshime të zyrtarëve që vijnë nga radhët e BDI-së dhe nëse ata janë të pazëvendësueshëm, Kovaçevski tha se ai nuk i ndan njerëzit nga cilat parti vijnë, por i shikon nëse janë profesionistë. Thotë se si ish-zëvendës ministër i financave ka pasur bashkëpunim edhe me kuadro të BDI-së dhe se është i kënaqur.
“Asnjëherë nuk i kam ndarë njerëzit me të cilët kam punuar në kuadro të ndonjë partie të caktuar politike ose nga një kohë apo proveniencë e caktuar. Çdoherë i analizoj dhe i vlerësoj në bazë të performancave të tyre profesionale. Me ministrat që ishin pjesë e Qeverisë së mëparshme, që janë pjesë e kësaj Qeveria, unë kam pasur bashkëpunim si zv.ministër i financave“, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski si kryeministër dhe ministrat e kabinetit të ri qeveritar u zgjodhën me 62 vota deputetësh mbrëmë para mesnatës në seancë parlamentare pas debatit dy ditor. Opozita kritikoi dhe mbetet në qëndrimin se Qeveria e re është jo legjitime, ndërsa legjitimiteti duhet të merret në zgjedhje të shpejta të parakohshme. Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE edhe sot doli me kritika.
“Qeveria e re-e vjetër me kuadro të konsumuara dhe të dyshimta në krye me “kulullën” Kovaçevski nuk kanë asnjëfarë legjitimiteti, kapaciteti dhe autoriteti që të udhëheqë, e aq më pa që të nxjerr shtetin nga gjithsej 4 gjendjet e krizave të shpallura në territorin e Maqedonisë, si dhe nga bllokimi i rrugës sonë drejt BE-së”, tha Dragan Kovaçevski nga VMRO-DPMNE.
Qeveria numëron 21 anëtarë. Zv.kryeministër i parë edhe më tej mbetet Artan Grubi, në funksionin e zv.kryeministrit për ekonomi edhe më tej do të jetë Fatmir Bytyqi, ndërsa zv.kryeministër për çështje evropiane do të jetë Bojan Mariçiq. Në këtë përmbajtje nuk ka zv.kryeministër për luftë kundër korrupsionit, ndërsa në vend të kësaj Sllavica Grkovska do të jetë zv.kryeministre për politikë për qeverisje të mirë./TV 21/