Prokuroria, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije bilancet e protestës së 8 janarit te selia e Partisë Demokratike, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultojnë 34 protestues të arrestuar, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu Prokuroria ka zbuluar pistat e hetimit, që prekin të dy palët, edhe Berishën edhe Lulzim Bashën.
Njoftimi:
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike.
Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.
Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin.
Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi:
– dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si
shkatërrim prone,
– përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre,
– mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve,
– si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë.
Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore.
Po kryhen të gjitha veprimet si:
– sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore,
– marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes,
– si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve
me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien
para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin./albeu.com