Mediat e huaja: Lefter Koka rrezikon 12 vite burg

Ditën e djeshme u bë me dije lajmi i bujshëm që SPAK kishte arrestuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Ky lajm ka bërë xhiron edhe në mediat e huaja të cilat flasin me bujë për veprat penale për të cilat akuzohet ai dhe sa mund të dënohet nga drejtësia shqiptare.

Agjencia Associated Press shkruan se ai akuzohet për një ryshfet prej 4.1 milion dollarësh. Sipas AP, Koka rrezikon deri në 12 vite burg nëse dënohet.

‘Koka rrezikon deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor. Korrupsioni ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë postkomuniste.‘- shkruhet në artikullin e AP.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u vu në pranga ditën e djeshme bashkë me dy persona të tjerë pasi akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. /albeu.om/


Shtuar 15.12.2021 09:56