Arbitrim skandaloz është vlerësuar të jetë bërë në duelin Basel-Qarabag në Ligën e Konferencës nga njohës të futbollit, por edhe nga vetë skuadra e Qarabagut.
Kjo për faktin se Qarabagu ka shënuar gol në udhëtim te Baseli por që nuk është pranuar, e që do të mund të kishte rol vendimtar në grupin H të Ligës së Konferencës.
Dy minuta pasi nisi ndeshja, një sulmues i skuadrës nga Azerbajxhani shënoi dhe renditja në grup do të mund të dukej ndryshe në fund.
Topi e kaloi qartë vijën e golit dhe më pas u largua nga një mbrojtës i skuadrës zvicerane.
As gjyqtari kryesor dhe as gjyqtari anësor nuk panë një gjë të tillë, ka shkruar gazeta spanjolle “AS” të premten.
Nuk pati as teknologji në këtë ndeshje. Në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës nuk ka VAR dhe teknologji të vijës së golit. Gjithçka duhet të shikohet nga sytë e gjyqtarëve.
Gjyqtar kryesor i takimit ishte kroati Fran Jovic.