Edhe pas pesë ditëve nga aksidenti tragjik në Bullgari, Prokuroria Publike ende nuk ka kërkuar as paraburgim, e as ndonjë masë tjetër për pronarin e kompanisë “Besa Trans”. Kryeprokurori Lubomir Joveski, sot ua dorëzoi kolegëve bullgarë materialin për hetim, profilet e ADN-së së familjarëve të viktimave, procesverbalet nga dëgjimi i 8 personave që janë marrë në pyetje, lëndën që e hapi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve lidhur me licencën dhe të gjithë dokumentacionin për autobusin e aksidentuar. Joveski nuk deshi të zbulojë kush është marrë në pyetje deri më tani, po vetëm tha se prokurorët janë ata që do të vendosin nëse do të shqiptohet masë ndaj pronarit të kompanisë.
“Prokurori publik i cili po e udhëheq lëndën do të vlerësojë nëse ka nevojë dhe a do të shqiptohen masa. Që ta mos prishim hetimin, për momentin nuk do të ishte mirë t’i zbulojmë të dhënat lidhur me atë se cilët persona janë dëgjuar, në çfarë roli janë dëgjuar dhe cilët persona planifikojmë t’i dëgjojmë në vazhdim”, tha prokurori publik, Lubomir Joveski.
Sipas prokurorëve bullgarë, pronari i kompanisë nuk mund të mbajë përgjegjësi, sepse siç thanë, ai nuk e ka drejtuar autobusin.
“Pronari nuk mund të akuzohet, sepse ai as nuk e ka drejtuar autobusin, e as nuk ishte përfshirë në udhëtimin e organizuar. Domethënë, pronari i këtij autobusi dhe kompania është me seli dhe menaxhim në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Biser Jordanov Mihajllov – zëvendësprokuror në Pernik.
Edhe përkundër asaj se zjarri kaploi tërë autobusin për vetëm disa minuta, hetuesi kryesor pohon se të nuk është transportuar karburant. Shton se ende po analizohen mbetjet e autobusit.
“Kategorikisht i hedhim poshtë supozimet se është transportuar benzinë ose se ka pasur eksploziv. Nuk mund të thuhet me siguri të plotë tani, por janë bërë kontrolle dhe nuk janë zbuluar mjete shpërthyese dhe mbetje të tilla. Por, sërish do të them, puna e kimistëve dhe teknikëve bashkë me ekspertët auto-teknikë vazhdon në mënyrë intensive dhe jam i bindur se së shpejti do të kemi të dhëna më të qarta sa i takon kësaj çështjeje”, shtoi Mlladen Hristov Petrov nga Shërbimi për hetime i Republikës së Bullgarisë.
Edhe Joveski është i prerë se në fuçitë që nuk ishin përfshirë nga flakët nuk është transportuar naftë, edhe pse ka pasur gjurmë të karburantit. Por, a ka pasur fuçi të mbushura të cilat janë djegur gjatë një shpërthimi kaq të madh?
“Nëse në vendin ku shpërtheu zjarri janë gjetur fuçi boshe të cilat paraprakisht janë shfrytëzuar për naftë dhe nëse organet bullgare në pajtueshmëri me analizat kumtuan se atje ka pasur mbetje të naftës dhe se fuçitë nuk janë djegur, si mund të flasim se me to është bërë kontrabandë me naftë?
Kolegët nga Bullgaria thanë se për këtë do të ketë ekspertizë, kurse unë nuk e di ku ishin vendosur ato fuçi, do të kishin lënë gjurma në autobus. Kjo rrethanë do të qartësohet përmes një ekspertize”, potencoi Lubomir Joveski – prokuror publik.
Prokurorët e Bullgarisë thonë se deri në fund të javës së ardhshme do të përfundojë procesi i identifikimit të viktimave dhe se atëherë familjet do të mund t’i marrin kufomat e të afërmve të tyre me qëllim që të mund t’u organizojnë varrim dinjitoz./TV 21/