Varianti “Delta” i Covid-19 vazhdon të jetë dominant në të gjithë Europën dhe shumica e vendeve po përjetojnë një valë të re me numër të lartë rastesh dhe vdekjesh.
Qendra Evropiane e BE-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë se nëse nuk zbatohen masa të tjera përveç administrimit të vaksinave, situata do të përkeqësohet akoma më shimë.
“Sezoni festiv i fundvitit është i lidhur tradicionalisht me aktivitete të tilla si tubime shoqërore, blerje dhe udhëtime,” raporton Qendra Evropiane e BE-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duke shtuar se një sjellje e tillë “do të paraqesë rreziqe të konsiderueshme shtesë për transmetimin e intensifikuar të Delta”.
ECDC tha se një studim i fundit tregoi se “barra e mundshme e sëmundjes” në të gjithë Bashkimin Europian “do të jetë shumë e lartë në dhjetor dhe janar nëse masat e shëndetit publik nuk zbatohen tani në kombinim me përpjekjet e vazhdueshme për të rritur marrjen e vaksinave në popullatën totale”.
Vendet evropiane po raportojnë një numër rekord të infeksioneve dhe spitalet tashmë po ndjejnë presion të shtuar përpara dimrit. Masat tashmë janë duke u vendosur për të ndihmuar në uljen e përhapjes, por më shumë vende tani po konsiderojnë bllokime të plota ose të pjesshme. /albeu.com