Thirrja dëshpëruese e babait të Mateos: Të vdes e vetëm t’a shoh edhe njëherë!

Familja Vasiu në Fier po kalon ditët më të zeza pasi djali i tyre i vogël, Mateo Vasiu u vra nga fqinji i tyre, Klodian Çalamani në oborrin e shtëpisë së tij.

Dhimbja për familjarët të cilët kërkojnë me ngul dënim me vdekje për autorin është shumë  e madhe, sa babai, Ligor Vasiu kërkon të vdesë vetëm që të shohë edhe njëherë djalin.

“Të vdes tani dhe të shikoj çunin atje ku është” shprehet ai para kamerave.

Me tej babai i Mateo Vasiut, është shprehur se fëmija i tij i ndjerë i kishte blerë bukën dhe ja kishte çuar në shtëpi, autorit por edhe kjo nuk e kishte ndalur të kryente krimin makabër.

“Më ka ngel merak. E nisi çunin për të blerë bukë, shkoi çuni i mori bukën dhe ja çoi atje edhe të ma vrasi, vetëm kjo më ka ngel gozhdë. Të vdes unë vetëm dua ta shikoj. Të vdes tani dhe të shikoj çunin atje ku është. Të vdes tani. Nuk e dua jetën, unë sikur jam i vdekur. Jam i vdekur, nuk di ça të them.

DËSHMIA E AUTORIT NË BURG:

”…banoj në fshatin Greçalli të Fierit, në lagjen “Trifon Tanka”. Kam një shtëpi private, një katëshe me llamarina, me oborr rreth shtëpisë dhe në pjesën e përparme, e kam të thurur me gardh me kallama. Nga ana e gardhit me kallama kam edhe portën kryesore që futem në oborrin e shtëpisë. Në oborr, unë kam të mbjella disa qepe të njoma dhe kam edhe një rrënjë hardhie. Sot më datë 16 nëntor 2021, rreth orëve të mëngjesit ora 8 apo 9, nuk e di unë ndodhesha në shtëpinë time dhe më vjen djali i vogël i Florës, të cilit nuk ja di emrin, por e njoh që është djali i Florës, i cili filloi të më shante.

Unë në këtë kohë isha duke punuar me kazmë tek oborri i shtëpisë time dhe ai erdhi afër te porta, në një distancë një metër larg nga unë dhe me thoshte: ”…pse ma ngacmon mamin dhe vazhdonte të shante…”. Ndërsa unë i them:“…ik se e di unë çfarë bëj… dhe djali vijonte të më shante. Në këtë kohë, unë e kam qëlluar me kazmë qylyke, me pjesën e prapme të kazmës e cila është me kunj hekuri në kokë, i cili menjëherë u rrëzua dhe mbasi u rrëzua në tokë unë e qëllova përsëri me kazmë në kokë, dhe fëmija nuk u ngrit më.

Më pas i kam lidhur duart nga mbrapa, me një lidhëse këpucësh. Mbasi e pash që fëmija kishte vdekur e kam kapur prej këmbë, e kam tërhequr zvarrë dhe e kam hedhur te një gropë, e cila ndodhet rreth 5-6 metra larg vendit ku e vrava. Brenda në oborrin e banesës time, pasi e afrova te gropa e cila mundet të ishte rreth 1 metër e thellë, e kam shtyrë fëmijën e vdekur me këmbë, duke e rrëzuar brenda saj. Më pas e kam mbuluar me dhe, duke gërmuar me lopatë afër gropës dhe dheun që nxirja prej saj, ja hidhja fëmijës që ta mbuloja, të cilin e mbulova plotësisht.

Mbasi mbarova, duke e mbuluar fëmijën qëndrova në shtëpi, në oborrin e shtëpisë time dhe nuk kam lëvizur fare prej saj. Kur kam vrarë djalin e Florës dhe e kam groposur brenda në oborrin e shtëpisë time, nuk më ka parë asnjë person dhe nuk i kam treguar asnjë personi për fëmijën që vrava dhe groposa në oborrin e banesës time…”. /albeu.com/

 


Shtuar 18.11.2021 12:17