Teksa në vendin tonë vijon të rritet numri i të prekurve nga pandemia, lajmi i mirë është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes USAID-it, kanë miratuar fonde shtesë për Shqipërinë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e SHBA në Tiranë ku njofton se këto fonde do të vazhdojnë ndihmën në pajisjen e laboratorëve, rritjen e mundësive të zbulimit dhe gjurmimit të rasteve pozitive, përgatitjen e stafit laboratorik për të reaguar, përmirësimin e komunikimit të rreziqeve e më shumë.
Sipas asaj që shkruan Ambasada e SHBA në Tiranë, gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në Shqipëri mbi 51.8 milionë dollarë në fushën e shëndetësisë, dhe mbi 693 milionë dollarë në ndihmë totale.