Shano: Gripi i derrit ka qenë më vdekjeprurës se koronavirusi

Eksperti i njohur i çështjeve ekonomike, Dritan Shano, thotë se kjo që ka ndodhur me koronavirusin “është e paprecedentë”.

“Nuk ka ndodhur kurrë në botë që të ndalohet me urdhër ekonomia. Kjo ndërprerje është bërë nga qeveritë dhe për këtë arsye ka efekte shumë të rënda. Të varfërit do të bëhen akoma edhe më të varfër dhe do të rriten kostot e të bërit biznes”, tha sonte Shano, në një lidhje të drejtpërdrejtë me A2.

Shano pohoi se kemi të bëjmë me një “virus të famshëm dhe të mbuluar mediatikisht, krejt ndryshe nga gripi i derrit apo i pulave, që kanë qenë ndoshta shumë më vdekjeprurës sesa ky, por jo kaq të mbuluara mediatikisht”.

Në fakt nga gripi i derrit u prekën u prekën miliona njerëz dhe u raportua për mbi 600 mijë të vdekur. Kurse nga gripi stinor, sipas OBSH humbin jetën çdo vit mids 250 deri 500 mijë njerëz të moshave të ndryshme.

Në lidhje me efektet që do të ketë Covid-19 në ekonominë tonë, Shano tha: “Ekonomia shqiptare është goditur dy herë: një herë nga tërmeti dhe një herë nga qeveria që ndërpreu ekonominë këto muaj. Qeveria nuk parashikonte rritje të madhe dhe unë besoj se ekonomia nuk do të ketë rritje këtë vit”.


Shtuar 10.04.2020 20:46