Një polic në Berat është shkarkuar nga detyra ditën e sotme, pasi nuk shoqëroi për në banesë gruan e dhunuar nga ish-bashkëshorti.
Rasti i Policit u denoncua dje në një emision investigativ dhe ditën e sotme ka ardhur menjëherë reagimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Fiks Fare, që bënte fjalë për një shtetase të dhunuar nga ish-bashkëshorti, e cila akuzon inspektorin e Policisë së zonës, për neglizhencë dhe moszbatimit të vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, ju bëjmë me dije se:
Menjëherë pas transmetimit të këtij rasti, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të dërguar një grup pune në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, me qëllim verifikimin e këtij rasti.
Punonjësi i Policisë, inspektor B. A. është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor, pasi nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës, që parashikonte se punonjësi i Policisë duhet ta shoqëronte shtetasen Z. L. deri në banesë dhe ta mbikëqyrte atë deri në largimin pas marrjes së fëmijëve dhe sendeve personale nga banesa.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri, në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm./albeu.com/