Analistë të pavarur në SHBA vlerësojnë se demokratët kanë mundësi të mira të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, ndoshta, edhe në Senat, në zgjedhjet e mesmandatit që mbahen më 3 nëntor.
Një fitore do t’u jepte atyre pjesë të pushtetit në Uashington, pas dy vjetësh nën drejtimin e republikanëve.
Të lidhura
None found
Trumpi e nisi luftën me Iranin më 28 shkurt pa marrë më parë miratimin e Kongresit. Ndërkohë, demokratët kanë votuar vazhdimisht që luftimet të përfundojnë. Nëse fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit, ata mund të ulin shpenzimet e mbrojtjes për ta nxitur Trumpin të kërkojë autorizimin e Kongresit për vazhdimin e luftës. Gjithashtu, mund t’u kërkojnë zyrtarëve të administratës të dalin në dëshmi publike për planet e tyre.
Mbështetja për Ukrainën mund të marrë shtysë të re.
Megjithëse ligjvënës demokratë e republikanë kanë shprehur mbështetje për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus, Trumpi e ka ndërprerë kryesisht ndihmën e drejtpërdrejtë financiare dhe ushtarake të SHBA-së për vendin.
Ndihma ushtarake për Izraelin mund të ndërpritet.
Përkrahja e Izraelit mes demokratëve ka pësuar rënie të ndjeshme, për shkak të mënyrës si është zhvilluar lufta në Gazë, ku janë vrarë dhjetëra mijëra civilë palestinezë. Mes faktorëve të tjerë përmendet edhe dhuna që vazhdon në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Demokratët mund ta zvogëlojnë ose ta ndërpresin ndihmën ushtarake për Izraelin, e cila në vitin e fundit fiskal arriti në 3.8 miliardë dollarë. Kjo ishte më shumë se ndihma që iu dha çdo vendi tjetër.
Demokratët synojnë të vendosin kufij në fushën e mbrojtjes.
Këtë vit, Trumpi kërkoi një rritje të paprecedentë prej 67 për qind të buxhetit ushtarak, duke e çuar atë në 1.5 trilion dollarë. Demokratët e bllokuan propozimin në Senat, duke iu referuar mungesës së konsultimit me Kongresin për luftën me Iranin dhe shkurtimeve të mëdha të programeve sociale.





