Kosova i ofron SHBA-së mundësinë e krijimit të një baze të përhershme ushtarake

Kosova i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

Ky propozim, në emër të Qeverisë së Kosovës, është dhënë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.

Sipas një njoftimi për media, ministri Mehaj ka thënë se krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.

Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.

Ndërkaq, nënsekretari Kahl, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.

Po ashtu, Mehaj dhe Kahl kanë biseduar edhe për punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, teksa nënsekretari Kahl ka premtuar se përkrahja e shtetit të tij për FSK-në do të jetë e vazhdueshme.

Të dy e kanë vlerësuar lart partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt dhe pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e forcave të NATO-s “Defender- Europe’21”.

Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, dërgoi në mars në Kuvajt një kontingjent të FSK-së, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force./REL


Shtuar 15.10.2021 13:28