Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka paralajmëruar publikimin e disa dosjeve që sipas saj do të trondisin politikën shqiptare.
Tabaku është shprehur se tre ministra të qeverisë Rama janë të përfshirë në afera korruptive, afera për të cilat janë ngritur edhe komisionet hetimore parlamentare.
E ftuar në “Kjo Javë”, Tabaku tha se duke parë informacionet është për të ardhur keq qe drejtësia e re nuk ka vepruar.
Tabaku shtoi se të paktën 3 persona që janë ulur në kabinetin qeveritar duhet të ishin nën hetim sipas informacioneve që ka PD-ja për aferën e incerneratorëve dhe atë zgjedhore.
“Unë kam një pikëpyetje të madhe për arrestimet e SPAK-ut. Sa herë që ia merr një iniciativë personi nuk është më në detyrë, ndodhi me uniformat, ndodhi me RTSH-në. Duket se kushdo që është në qeveri ka informacion për personat e përfshirë. Ndjej keqardhje që kur presidenti pyeti anëtarët e qeverisë nëse është ndonjëri në hetim ndërkohë që të paktën 3 persona që janë ulur në kabinetin qeveritar duhet të ishin në hetim sipas informacioneve që kemi për aferën e incerneratorëve dhe atë zgjedhore. SPAK po lëviz ngadalë, po lëviz pak dhe duket se po lëviz aty ku nuk prish punë. Doja që ta shihja SPAK me dosje të mëdha, dosjet e zgjedhjeve”, tha Tabaku./albeu.com