Në orën e fundit në mediat online në Shqipëri ka qarkulluar me shpejtësi lajmi se Drejtori i Përgjithsëhm i Policisë së Shtetit është shkarkuar.
Burimet bënin me dije se shkarkimi i Veliut ka ardhur pas ngjarjeve të fundit kriminale në vend, ku vetëm dje në Elbasan ndodhi një atentat ku humbën jetën dy shtetas, të njohur për Policinë e Shtetit.
I pyetur për këtë shkarkim, Ministri Blendi Çuçi ka deklaruar se këtë vendim, nëse është apo jo i shkarkuar Veliu, do të merret vesh në kohën e duhur.
“Do ta merrni vesh në kohën e duhur, kur të mbarojë kandili…” – tha Çuçi duke zbuluar se ende nuk janë plotësuar 100 ditë nga vendimi.
Në mbledhjen e fundit që kryeministri pati para drejtorëve të Policisë kërkoi reagim dhe la një afat 100 ditor për të riorganizuar punën e Policisë së Shtetit.
“Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.
Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin.
Kjo duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha kryeministri Edi Rama. /albeu.com/