Menaxhimi i plehrave, Kumbaro: Ndryshon metodologjia për llogaritjen e mbetjeve nga bashkia

Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së dytë të qeverisë së re, tha se një nga vendimet e marra kishte të bënte me menaxhimin e mbetjeve në territorin e Shqipërisë.

Kumbaro tha se, do të përcaktohet një metodologji e re për bashkitë që të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre dhe këto të dhëna do të jenë publike.

“Miratuam sot në mbledhjen e dytë të qeverisë një amendim të një VKM-je ekzistuese që ka të bëjë me mënyrën se si menaxhohen mbetjet. VKM-ja që ne miratuam është një riamendim i një vendimi të 2015 që saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre si publikohen dhe standardizohen.

Ka qenë një punë e gjatë e bërë nga Ministria e Mjedisit për kryqëzimin e të dhënave. Një metodologji e unifikuar për të gjitha bashkitë që do japin një tablo të qartë. Detyrimi për t’i bërë publike statistikat e mbetjeve në territor. Ky instrument do mundësojë një menaxhim më të mirë të mbetjeve, për të plotësuar rolin e Ministrisë së Mjedisit si një normues por edhe monitorues i kësaj situate”, deklaroi Kumbaro./albeu.com


Shtuar 22.09.2021 16:42