Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi paralajmëron nisjen e reformës në Policinë e Shtetit.
Do të jetë Policia gjermane ajo që do të ndihmojë Policinë shqiptare me logjistikë dhe ide të reja, në mënyrë që të jetë e aftë në përballimin e luftës kundër krimit.
Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, në një takim me Çuçin i ka dorëzuar këtij të fundit raportin e Policisë Federale gjermane.
“Sot pata kënaqësinë që takimin e parë pas betimit si Ministër i Brendshëm në kabinetin e ri qeveritar ta kisha me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë z.Peter Zingraf. Më dorëzoi zyrtarisht raportin e Qeverisë Federale për riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimi që do të bëjmë në tërësi në Policinë e Shtetit. Sikundër e bëra me dije në Kuvend kur prezantova Programin për Sigurinë, do të fillojmë menjëherë punën me partnerët gjermanë për ta çuar përpara edhe këtë prioritet. Raporti që më dorëzoi ambasadori është një udhërrëfyes me vlerë tejet të rëndësishme”, shprehet Çuçi.
Asistencën e Policisë Federale ministri Çuçi e përmendi edhe në Kuvend teksa po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re. Ai evidentoi gjithashtu 4 elementë që sipas tij do të jenë fokusi i këtij mandati të tretë në Programin për Sigurinë: Mbrojtja e territorit, forcimi i rendit dhe i sigurisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe thellimi i luftës kundër çdo forme të krimit të organizuar dhe fenomeneve të jashtëligjshme. Për kriminalitetin tha Çuçi, objektivi është që të ulet nën mesataren e vende të BE-së. Ndërkohë që në çdo kryqëzim rruge do të vendosen kamera sigurie, të cilat do të sigurojnë një kontroll më të lehtë e të sigurt të territorit/albeu.com