SHBA pranon se sulmi me dron në Kabul ishte një “gabim tragjik”

Një sulm me dron i kryer gjatë orëve të fundit të evakuimit të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani nuk vrau një terrorist të prirur për të sulmuar aeroportin ndërkombëtar në Kabul, dhe në vend të tij vrau deri në 10 civilë, përfshirë një punonjës të ndihmave dhe shtatë fëmijë.

Pranimi i së premtes nga komandanti i trupave amerikane në rajon pasoi një hetim ushtarak të nxitur nga pretendimet e njerëzve në terren, si dhe njoftimet e mediave, se objektivi i goditur më 29 gusht nga një raketë e llojit Hellfire nuk përbënte një kërcënim.

“Kjo goditje u ndërmor me besimin e sinqertë se do të parandalonte një kërcënim të menjëhershëm për forcat tona dhe personat që po evakuoheshin në aeroport”, u tha gazetarëve në Pentagon gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, komandanti i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një lidhjeje videofonike. “Hetimi ynë tani arriti në përfundimin se goditja ishte një gabim tragjik”, tha ai.

“Ne tani vlerësojmë se nuk ka gjasa që automjeti ose ata që vdiqën të ishin të lidhur me ISIS-K”, shtoi Mckenzie, duke përdorur një akronim për filialin e grupit terrorist të Shtetit Islamik në Afganistan, i njohur gjithashtu si IS-Khorasan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu kërkoi falje për sulmin e gabuar.

“Në emër të burrave dhe grave të Departamentit të Mbrojtjes, unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për anëtarët e familjeve të atyre që u vranë”, tha Sekretari Austin në një deklaratë. “Ne kërkojmë ndjesë dhe ne do të përpiqemi të mësojmë nga ky gabim i tmerrshëm”.

Ndjesa është një kthesë dramatike për ushtrinë amerikane, e cila ka mbrojtur sulmin ajror prej javësh të tëra.

Vetëm disa ditë pas sulmit, oficeri ushtarak më i lartë amerikan, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, e mbrojti sulmin si “të drejtë”.

“Ne e dimë nga një sërë mjetesh të tjera se të paktën një nga ata njerëz që u vranë ishte një koordinator i ISIS-it”, u tha zoti Milley gazetarëve në Pentagon më 1 shtator. “Procedurat u ndoqën në mënyrë korrekte”.

Edhe atëherë, rrëfimet nga terreni po tregonin një histori të ndryshme – se në vend që të vriste një koordinator të IS-Khorasan, sulmi amerikan me dron në fakt kishte hedhur në erë Ezmarai Ahmadin, një punonjës ndihmash në organizatën Nutrition and Education International me qendër në Kaliforni, i cili kishte aplikuar për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e familjes thanë se viktimat e tjera përfshinin vajzën e Ahmadit, si dhe nipërit dhe mbesat.

Hetime të tjera nga gazetat The New York Times dhe The Washington Post hodhën dyshime të mëtejshme ndaj qëndrimit amerikan se goditja kishte eliminuar një terrorist të grupit IS-Khorasan.

Hetimi i gazetës Times përcaktoi se makina, një Toyota Corolla e bardhë, për të cilën zyrtarët amerikanë menduan se ishte e mbushur me eksploziv, në të vërtetë mbante kanistra uji. Dhe ndalesat e dyshimta që kishte bërë Ahmadi ndërsa Shtetet e Bashkuara e vëzhgonin nga qielli, ishin ndalesa për të marrë kolegë dhe për të bërë furnizime me ujë.

“Ne nuk e ndërmorëm goditjen sepse menduam se kishim gabuar. E bëmë goditjen sepse menduam se kishim një objektiv të mirë”, tha Gjenerali McKenzie i Komandës Qendrore (CENTCOM) të premten, duke vënë në dukje atë që ai tha se ishin “mbi 60 raporte të nivelit shumë të lartë për kërcënimin e afërt për forcat tona në Kabul dhe përreth tij”, shumë prej tyre të përqëndruara tek përdorimi i një makine Toyota Corolla të bardhë.

“Është e qartë se të dhënat tona të zbulimit ishin gabuar me këtë Toyota Corollan e bardhë në fjalë”, tha ai.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ata ende besojnë se kishte një komplot të IS-Khorasan për të sulmuar aeroportin me atë lloj makine nga një nga vendet ku u pa Toyota e Ahmadit. Por, ata tani besojnë se sulmi mund të jetë ndërprerë nga një sulm ajror amerikan ditë më parë që kishte në shënjestër operativët e grupit terrorist në provincën Nangarhar.

McKenzie tha se Shtetet e Bashkuara tani po shikojnë të bëjnë të ashtuquajturat pagesa ex gratia për anëtarët e familjeve që mbijetuan, megjithëse ai pranoi se dorëzimi i dëmshpërblimeve mund të ishte i vështirë pa një prani të Shteteve të Bashkuara në terren.

Komandanti i CENTCOM-it nuk pranoi të thoshte nëse do të ndërmerrej ndonjë masë disiplinore kundër atyre të përfshirë në kryerjen e goditjes, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare i takonte atij.
Organizatat për të drejtat e njeriut po kërkojnë më shumë.

“Shtetet e Bashkuara tani duhet të angazhohen për një hetim të plotë, transparent dhe të paanshëm për këtë incident”, tha Brian Castner, një këshilltar i lartë për krizat në Amnesty International.

“Kushdo që dyshohet për përgjegjësi penale duhet të ndiqet penalisht në një porces të drejtë gjyqësor”, tha zoti Castner në një deklaratë zyrtare. “Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave duhet të mbahen të informuar për përparimin e hetimit dhe të marrin dëmshpërblim të plotë”.

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) tha se sulmi me dron në Kabul duhet të jetë “një thirrje zgjimi”.

“Në këtë goditje, ne shohim jehonën e shumë jetëve të tjera civile të humbura dhe të dëmtuara rëndë, qoftë në luftëra si në Afganistan, apo jashtë tyre, si p.sh. në Somali”, tha Hina Shamsi nga ACLU në një deklaratë.

Disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje që të bëhet më shumë.

“Departamenti i Mbrojtjes ka hedhur hapin e parë drejt transparencës dhe llogaridhënies”, tha Ligjvënësi Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, në një deklaratë me shkrim. Ai e quajti sulmin vdekjeprurës me dron “një dështim shkatërrues”.

“Ne duhet të dimë se çfarë shkoi keq në orët dhe minutat para fillimit të goditjes për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen”, shtoi ai.

“Komisioni i Forcave të Armatosura do të dëgjojë nga zyrtarët e administratës në javët në vijim për tërheqjen kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani”, tha senatori James Inhofe, anëtar i lartë i komisionit, në një deklaratë me shkrim.

“Goditja e 29 gushtit tregon se sa të vështira dhe komplekse mund të jenë operacionet kundër terrorizmit, dhe për fat të keq nënvizon se një strategji e llojit ‘mbi horizont’ vetëm do të rrisë kompleksitetin dhe vështirësinë”, tha ai.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e çdo sulmi amerikan kundër terrorizmit në Afganistan, kundër grupeve si IS-Khorasan ose al-Kaida, të cilat tani për tani do të kryheshin “mbi-horizont” – nga bazat amerikane që gjenden orë larg në Lindjen e Mesme.

Por McKenzie tha se rregullat e përfshirjes për sulme të tilla ajrore do të ishin të ndryshme.
“Ne do të kemi shumë më tepër mundësi se sa kishim nën këtë presion ekstrem kohor për t’i hedhur një sy objektivit … për ta studiuar objektivin me platforma të shumta për të pasur një mundësi për të zhvilluar modelin e zgjatur të jetesës”, tha ai. “Asnjë nga këto gjëra nuk ishte në dispozicion për ne duke pasur parasysh natyrën urgjente dhe të ngutshme të kërcënimit të menjëhershëm për forcat tona.”

Komandanti amerikan tha gjithashtu se përkundër garancive dhe angazhimeve të tyre të përsëritura, talebanët kishin bërë pak për të ndihmuar evakuimin, përveç krijimit të një perimetri të jashtëm të sigurisë rreth aeroportit të Kabulit, i cili “gjithashtu i lejoi ata të kontrollonin njerëzit që përndryshe do të kishin arritur në aeroport”.

Për sa i përket ndonjë ndihme tjetër kundër IS-Khorasan, “nuk di të jenë duke bërë ndonjë gjë për ne tashmë”, tha Gjenerali McKenzie./VOA


Shtuar 18.09.2021 11:34