Në një periudhë kaq të zymtë, një lajm i mirë vjen nga Anglia, ku lojtari i parë i Premeir Ligës që u konfirmua si pozitiv me COVID-19, tashmë rezulton se e ka lënë pas krahëve virusin e frikshëm.
Kallum Hadson-Adoi ishte futbollisti i parë që rezultoi pozitiv në këtë kampionat e tashmë testet mjekësore tregojnë se trupi i tij ka mposhtur virusin që ka kaluar gjithë botën në panik.
Ka qenë vetë trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, ai që ka konfirmuar se futbollisti i tij ishte në gjendje të mirë shëndetësore. “Ai është plotësisht i shëruar. Kam folur me të gjatë gjithë javës, ishte një periudhë shumë e çuditshme. Për fat të mirë nuk ka vuajtur shumë dhe jemi të lumtur që ia doli”, tha tekniku i bluve londinezë.
Hadson-Adoi rezultoi pozitiv pikërisht në ditët kur në Angli po debatohej ende nëse kampionati duhej të vazhdonte apo jo dhe bashkë me Artetën u bënë shembujt se si edhe futbolli atje duhej të dorëzohej para këtij virusi të rrezikshëm. Për lojtarin tani fillon faza e dytë e etapave të shërimit, pasi duhet të presë edhe 14 ditë të tjera i izoluar plotësiht para se të jetë në gjendje që të lëvizë lirshmërisht pa frikën se mund të infektojë të tjerë.