Avokati i gylenistit të dëbuar zbardh detajet: Kërkoi azil, nuk ia dhanë

Mësuesit gylensit Harun Çelik iu refuzua azili politik nga autoritetet e burgjeve shqiptare sipas avokatit të tij, Alban Bengasi.

Për Zërin e Amerikës, avokati Bengasi është shprehur se “Harun Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik por kjo i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve.”

Më tej ai shton se veprimet ndaj turkut janë të paligjshme dhe Prokuroria duhet t’i hetojë ato. “Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm” – tha avokati Alban Bengasi.

Sipas mbrojtjes së Harun Çelik, turku ka kërkuar azil politik në Shqipëri por i është refuzuar, nga ana tjetër sipas Policisë diçka e tillë nuk kishte ndodhur.

Kush është Harun Çelik?

Një shtetase e identifikuar si Barbarossa Kaya, me anë të disa postimeve në tëitter, shkruan se Çelik është një mësues i cili ia doli që të shpëtonte nga përndjekja në Turqi, teksa pretendon se ka kërkuar azil, por shprehet se i është refuzuar kërkesa.

“Harun Çelik, 41 vjeç, një mësues që shpëtoi nga përndjekja në Turqi, ishte në burg në Shqipëri për 5.5 muaj. Ai u la i lirë sot dhe menjëherë dhe me forcë po dërgohet në aeroport tani. Kërkesat e tij për azil është refuzuar nga autoritetet. Ekziston një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut”, shkruan Barbarossa Kaya. Ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se me këtë vendim, për deportimin e Çelik i është bindur urdhrave të Erdogan.

“Kryeministri Edi Rama shpërfilli dinjitetin e vendit të tij dhe zbatoi urdhrin e Erdoganit. Të drejtat e Harun Çelik janë shkelur dhe ai dëbohet në mënyrë të paligjshme me një operacion të shpejtë”, thotë ajo.


Shtuar 2.01.2020 15:55