Meta takon Bashën: Këto janë skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekja për grusht shteti

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka takuar sot kreun e opozitës Lulzim Basha.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi përmes një postimi në Facebook.

Blushi shkruan se Meta e njohu z.Basha me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare.

Reagimi i plotë

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thirri sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Presidenti Meta e njohu z.Basha me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare.

Presidenti Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton.”, shkruan ai.

Dy ditë më parë presidenti Meta hodhi akuza të reja në drejtim të kreut të KED, Ardian Dvorani dhe akuzoi Kuvendin për grusht shteti për veprimet sipas tij anti-kushtetuese.


Shtuar 18.02.2020 10:55