Brodhi nëpër Itali, Silva Bino zbulon kush është pacienti “0” në Shqipëri

Pacienti “0” në Shqipëri është 28-vjeçari që udhëtoi në disa vende të Italisë.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino konfirmoi se në këtë mënyrë ka hyrë koronavirusi në vendin tonë.

“Djali 28 vjeçar është pacienti 0. E konfirmojmë që ai e ka marrë nga Italia, është infektuar në Itali.

Ai ka lëvizur në Itali në disa vende. Ai është pacienti 0 që e ka sjellë këtu në Shqipëri.

Ndërsa pacienti i parë është babai i tij. 54 vjeçari është infektuar nga djali i tij 28 vjeçar për shkak të kontaktit të afërt”, tha Bino në emisionin ‘Open’.

Djali 28-vjeçar me banim në Tiranë, që erdhi me makinë personale nga Firence përmes Muriqanit më 26 shkurt u identifikua mbrëmë me koronavirus.

Ai ia ka transmetuar babait të tij dhe gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme.

Deri më tani, janë gjurmuar rreth 24 persona që kanë pasur kontakt me të prekurit me koronavirus dhe u janë marrë mostra që do t’i nënshtrohen analizës në ISHP.

Të gjithë ata që kanë pasur kontakte të afërta me djalin e infektuar dhe babanë e tij, janë vetëizoluar në shtëpi nën mbikëqyrje mjekësore. /tch


Shtuar 9.03.2020 21:26