Basha këmbëngul për mbylljen e fasonerive: Qeveria nuk ka teste

Kryedemokrati Luzlim Basha në një deklaratë të bërë nga selia blu, tha se qeveria nuk po i përgjigjet me masa, të gjithë sakrificës së bërë nga qytetarët në këto javë. Basha rikërkoi mbylljen e fasonerive që sipas tij kanë nisur të preken masivisht nga Covid 19.

“Shteti nuk po i përgjigjet sakrificës së madhe të qytetarëve. Qytetarët e kryen sakrificën e tyre, tani shteti të shpërndajë mbështetje financiare të menjëhershme. Qeveria improvizon, s’ka as plan, as strategji.

Fasoneritë kanë nisur të preken masivisht nga Covid-19. Qytetaret u urdhëruan të rrinë në shtëpi, bizneset u mbyllen, por njerëzit nuk i kanë marrë akoma lekët e tyre.

Bizneset po mbyllin mijëra vende pune, sepse nuk kanë asnjë mbështetje nga qeveria”, tha Basha. Ndërkohë kreu i PD-së tha se qeveria i neglizhoi masat për të siguruar teste dhe kite.

“Qeveria neglizhoi masat për sigurimin e kiteve dhe paisjeve mbrojtëse dhe po bën tendera sekretë dhe korruptivë. Koha nuk pret, po thellohet kriza ekonomike. Të lëvrohet menjëherë mbështetja financiare për njerëzit dhe bizneset”, tha më tej kreu i PD-së.


Shtuar 21.04.2020 09:01