Zlatan Ibrahimovic njihet për personalitetin e fortë që ka, teksa gjithmonë kërkon të marrë maksimumin nga ajo që bën, aq më tepër kur është në fushë futbolli.
Pas një karriere të suksesshme në Evropë, suedezi vendosi të kalojë në SHBA, për të luajtur në dy sezone me LA Galaxy, për tu kthyer përsëri këtë sezon në Evropë, më saktë te Milani.
Sulmuesi e ka të vështirë të pranojë humbjet dhe këtë e tregon një ish-shok i skuadrës te LA Galaxy, Joao Pedro. Ky i fundit tregon një bisedë që kishte Ibra me pjesën tjetër të skuadrës, pas një ndeshje me Huston Dinamo, ku po fitonin 2-0 dhe më pas u përmbysën në 3-2.
“Në fund të lojës ai ishte shumë i mërzitur dhe kishte një bisedë me tone të larta me ne. Gjatë bisedës ai dukej shumë i irrituar dhe na u drejtua me këto fjalë: ‘Nëse keni ardhur këtu për plazh ose për dalë xhiro në Hollywood, më tregoni, duhet të ma thoni tani”.
”Kam 300 milionë në llogari bankare, jam pronar i një ishulli, nuk kam nevojë për këto gjëra. Personi i parë që më thotë diçka do ta vras”, tregoi Joao Pedro për Ibrën.