Ditën e sotme policia bashkiake ka rrethuar Teatrin Kombëtar gjë e cila është shoqëruar me tension midis aktorëve dhe policisë.
Policia bashkiake ka ngjitur posterin e vendimit në derën e Teatrit Kombëtar.
Ndërkohë, dhjetëra artistë vazhdojnë protestën disa mujore.
Ndërkohë, nëpërmjet një deklarate Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, bëhet me dije se një grup prej 20 personash bënë përpjekje për të hyrë në Teatër.
Deklarata e Aleancës:
Sot, me 13 maj 2020, ora 17:00, një grup prej 20 personash, 5 policë bashkiakë dhe 15 civilë, bëri perpjekje për të hyrë në Teatrin Kombëtar. Synimi ishte sjellja e aktit për lirim të pronës së bashkisë Tiranë.
Në teatër ndodheshin tre aktivistë, të cilët e zmbrapsën këte grup, ndërkohë me dhjetëra qytetarë vrapuan drejt Teatrit për të siguruar një mbrojtje më të mirë.
Ky sulm ndodh në një kohë kur Presidenti i Republikës po bën gati kërkesën për Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar VKM-në Nr.377 që i kalon pronësinë e Teatrit Kombëtar bashkisë Tiranë.
Ky sulm ndodh me ngut në një kohë kur qytetarët e bashkuar dhe në bashkëpunim me Europa Nostra kanë gjetur burimin e fondeve për restaurimin e teatrit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bën thirrje bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak Tiranë të heqë dorë urgjentisht nga çdo përpjekje për të proceduar me aktin antikushtetues të marrjes në dorëzim të pronës së Teatrit Kombëtar.
Teatri Kombëtar është pronë e gjithë shqiptarëve, teatri kombëtar mbrohet nga Populli dhe Europa Nostra.
Qeveria i ka shpallur luftë qytetarëve dhe në shprehim vendosmërinë dhe vullnetin per t’i shkuar deri ne fund kësaj lufte siç e kemi dëshmuar në 27 muaj rezistencë.