Ylli Shameti verën e shkuar la Kukësin pas gjashtë vitesh, për të kaluar te Gjilani i Gentian Mezanit, por një dëmtim i rëndë e ka detyruar të mos debutojë akoma me skuadrën kosovare. 35-vjeçari nga Gjirokastra ka folur ditën e sotme për Super Sport, ku ka prekur disa çështje.
DIPLOMIMI NJËKOHËSISHT ME FUTBOLLIN- Duke qenë se janë dy profesione shumë larg njëra-tjetrës dhe pa asnjë pikë të përbashkët, mendoj se ka qenë shumë e vështirë, por rëndësi ka që ia dola. Me vullnet shumë të fortë, them se arrita objektivin e vetes, që edhe të diplomohesha paralelisht me futbollin.
GJENDJA FIZIKE- Në fakt këtë vit nuk e kam nisur shumë mirë, pasi më kanë ndjekur vazhdimisht dëmtimet. Më vjen keq për këtë, pasi nuk kam arritur të kontribuoj sa duhet për klubin e Gjilanit, që më ka mbështetur shumë. Megjithatë nuk kam çfarë të bëj, përveçse të punoj shumë dhe të rikthehem sa më i fortë. Kjo kohë më ka shërbyer të rikuperoj dhe jam gati të rikthehem e të bëj më të mirën.
RIKUPERIMI- Fillimisht ka rëndësi të nisë stërvitja me ekipin dhe më pas do të kryej edhe ekzaminimet e fundit, për të parë ku jemi me rikuperimin. Duhet shumë punë për të rikuperuar formën e mirë, por nuk më ka munguar asnjëherë këmbëngulja dhe vullneti për të punuar.
IKJA NGA KUKËSI- U largova me kujtime shumë të bukura, pasi isha pjesë e disa arritjeve historike të atij klubi. Ka pasur momente të bukura, por edhe të hidhura, megjithatë ika me falënderime ndaj të gjithëve. Kukësi është një pjesë e rëndësishme e karrierës time dhe besoj edhe unë kam lënë shenjë në atë klub, ndaj jam krenar për këtë.
TRAJNERI MË I MIRË- Të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, kanë qenë shumë të përgatitur dhe kam menduar të marr më të mirën prej secilit, megjithatë më i miri për mua është Ernest Gjoka, me të cilin kemi arritur suksese te Kukësi dhe e kam mik edhe aktualisht.
RIKTHIM TE KUKËSI- Patjetër që po, sepse pas Gjirokastrës, Kukësi është shtëpia ime e dytë. Kam kaluar 6 vite shumë të bukura aty dhe kam arritur suksese të shumta, ndaj do të më pëlqente të rikthehesha dhe të kontribuoja sërish. Megjithatë për momentin jam i përqendruar te Gjilani, pasi drejtuesit atje janë treguar shumë korrektë me mua dhe nuk kam arritur të jap atë që pritej, për shkak të dëmtimeve.
E ARDHMJA- Kam edhe një diplomë në fakt, por më shumë e shoh veten në futboll, pasi kam kontribuuar shumë dhe jam më i përditësuar. Në inxhinieri jam diplomuar para 10 vitesh, por nuk e kam ushtruar asnjë ditë profesionin, ndaj do të ndihesha më mirë në futboll.