Një 26-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me autorët e dyshuar të vrasjes së Hekuran Billës.
Ngjarje kjo e ndodhur në zonën e “Komunës së Parisit”, orët e vona të datës 11 qershor.
Vajza e vënë në pranga është shtetasja Adiola Lakra, banuese në Tiranë.
Sipas burimeve të Policisë, 26-vjeçarja dyshohet se ka treguar lëvizjet e viktimës dhe duke e nxjerrë atë në pritë.
Policia ka sekuestruar edhe një automjet që dyshohet të jetë përdorur në atentatin mafioz ndaj Hekuran Billës. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe personi që dyshohet se largoi autorët pasi dogjën makinën e krimit në Pezë.
Pista kryesore e ngjarjes është ajo e hakmarrjes për shkak se në vitin 2006, 40- vjeçari Hekuran Billa kishte vrarë 22-vjeçarin Prel Marku në Angli ku qëndronte si emigrant, ngjarje për të cilën ka kryer 12 vite burg.
“Gjatë orëve të para të ditës së sotme (dje) është vënë në pranga një 26- vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B. Kjo shtetase dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B., së bashku me shtetasin V. M. dhe shtetasin S. M.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
