Lokomotiva e Zagrebit vazhdon të jetë e varur nga shqiptarët.
Edhe në ndeshjen e djeshme ku kroatët triumfuan me rezultatin 3-2 përballë Hajdukut të Splitit një nga golat, mbante firmën e Indrit Tucit. Pjesë e formacionit të Lokomotivës janë edhe Kastrati, Uzuni dhe Çokaj.
Ata po japin një kontribut të çmuar në garën e skuadrës për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm. Edhe klubi e di mirë se katërshja shqiptare është mekanizmi pa të cilin ekipi nuk funksionon, teksa në ditën e sotme ka postuar një foto të tyre në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
“Lokomotiva në udhëheqjen e shqiptarëve”, ishte mbishkrimi i zgjedhur nga kroatët sipër fotos për t’i bërë qejfin të ashtuquajturës “banda kuqezi”. Ndërkohë, falë këtyre paraqitjeve, Uzuni me shokë kanë shumë mundësi për të ardhmen, teksa tashmë është i kryer transferimi i Kastratit te gjigandët e Dinamo Zagreb.
