Presidenti Rus, Vladimir Putin ka thënë se Rusia do të vendosë marrëdhënie diplomatike me talebanët, nëse ata sillen në mënyrë të civilizuar.
Putin kritikoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se krijuan një situatë të pakëndshme në Afganistan dhe nuk zgjidhën asgjë me luftën e tyre 20 vjeçare.
“Rusia nuk është e interesuar në shpërbërjen e Afganistanit. Nëse kjo ndodh, atëherë nuk do të kemi me kë të bisedojmë,” tha Putin.
Ai ka folur në seancën plenare të Forumit Ekonomik Lindor në qytetin lindor të Rusisë, Vladivostok.
“Sa më shpejt që talebanët të sillen si të civilizuar aq më e lehtë do të jetë të kontaktosh, të komunikosh dhe në njëfarë mënyre të ndikosh dhe të bësh pyetje,” shtoi ai.
Putin tha se tërheqja e forcave të udhëhequra nga SHBA nga Afganistani muajin e kaluar kishte përfunduar në “katastrofë”.
“Ata shpenzuan 1.5 trilion dollarë për të gjithë këtë fushatë dhe cili është rezultati? Asgjë,” tha Putin.
Rusia ka treguar kujdes në marrëdhëniet e saj me grupin terrorist që erdhi në pushtet në Afganistan këtë verë.
Ambasadori rus në Kabul u takua me përfaqësuesit e talebanëve disa ditë pas marrjes së kontrollit dhe tha se Moska do të mbajë ambasadën e saj në vend.
Javën e kaluar, Rusia filloi evakuimin e qytetarëve të saj dhe atyre të disa shteteve ish-sovjetike pasi situata e sigurisë në vend u përkeqësua.
Rusia ka paralajmëruar se nuk tolerojë grupet ekstremiste të përdorin trazirat politike për të hyrë në vendet fqinje si refugjatë./albeu.com