“Forca e Ligjit” është ngjitur dje në skajin më verior të vendit, duke u dërguar letër 5 djemve nga Tropoja, për të deklaruar pasurinë.
Ata akuzohen për krime të rënda, duke nisur nga pengmarrja, vrasja, grabitja dhe droga, prodhimi e kultivimi i saj. Policia tha dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL-ja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve Dorjan Jahelezaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”; Granit Hasanpapaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Kreshnik Haxhiaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Mark Lekndreaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; Milazim Ndreshaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut për veprime të mëtejshme. OFL-ja është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, tha zyrtarisht Policia.
I DENUARI PER VRASJE
Njëri nga personat që mori dje letër nga OFL-ja, Granit Hasanpapaj, është i dënuar për vrasje me paramendim. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur në shkurt të vitit 2009 u akuzua për vrasjen e një taksisti, krim për të cilin Policia e arrestoi bashkë me të vëllain dhe kunatën (nusen e vëllait). Në atë kohë, Policia deklaronte se shkak për këtë ngjarje ishte bërë ngacmimi i gruas së vëllait të Hasanpapajt, që po ashtu u arrestua. Ngjarja kishte ndodhur më 17 shkurt të vitit 2009, në fshatin Tplan të Tropojës. Autorët, pasi e kanë vrarë duke e torturuar taksistin Avni Sinani, kanë tentuar ta fshehin trupin e tij duke e hedhur në Lumin Drin.granithasanpapaj
Fillimisht Policia e Kukësit hodhi dyshimet te dy vëllezërit Hasanpapaj, të cilët ishin parë si personat e fundit që kishin prenotuar të ndjerin Sinani me taksinë e tij. Por fillimisht të dyshuarit nuk pranuan akuzat, derisa operacioni i Policisë, përgjimet dhe provat e zbuluara, detyruan Jetmir e Granit Hasanpapajn që të pranonin autorësinë, duke u mbrojtur se 38-vjeçari kishte ngacmuar herë pas here Almirildën, gruan e Jetmirit. Kufoma e taksistit u gjet në ujërat e Liqenit të Fierzës, ndërsa u gjet edhe makina e tij e djegur, disa orë para se të gjendej trupi. Forcave speciale u është dashur 10 orë operacion, për të mbyllur hetimet dhe prangosur të dyshuarit.
NGJARJA
Pasi kanë mësuar se 21-vjeçarja Almirilda ngacmohej nga taksisti 38-vjeçar, Avni Sinani, dy vëllezërit Jetmir e Granut Hasanpapaj kanë hartuar edhe planin për t’u hakmarrë. Gjatë rrëfimit të tyre para grupit hetimor pas arrestimit, të dyshuarit pranuan se motivet ishin të dobëta dhe se e kishin goditur viktimën me mjete të forta në kokë e trup, duke i shkaktuar vdekjen. “Në datën 17 shkurt, rreth orës 12:15, në qytet, pasi kanë marrë me taksi për Fierzë Avni Sinanin, 38 vjeç, banues në fshatin Gri, Komuna Bujan, me mjetin e tij tip ‘Benz’, me targa BC 0162 B, në fshatin Tplan, afër banesës së tyre, në bashkëpunim dhe për motive të dobëta, e kanë goditur me mjete të forta”, thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë më datë 20 shkurt 2009.
Burimet tregonin në atë kohë se në krim ka marrë pjesë edhe 21-vjeçarja Almirilda Koka. Si pasojë e goditjeve, Sinani ka vdekur dhe të dyshuarit e kanë futur kufomën në bagazhin e mjetit të tij dhe e kanë transportuar në drejtim të Kukësit, deri te Ura e Hasit, ku e kanë hedhur në Lumin Drin. Mjeti është gjetur nga Policia në fshatin Berishë të Komunës Bytyç, ndërsa trupi i viktimës në Liqenin e Fierzës.
PERSONAT QE DO TE DEKLAROJNE PASURINE
Dorjan Jahelezaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Granit Hasanpapaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Kreshnik Haxhiaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Mark Lekndreaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Milazim Ndreshaj, banues në Tropojë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.