Lajm i mirë! Zgjaten me 90 ditë lejet e qëndrimit për punëtorët sezonalë në Greqi

Autoritetet greke të Mbrojtjes Civile njoftuan se në këshillim me Ministrinë e Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, zgjatën lejet e qëndrimit për 90 ditë për mijëra punëtorë sezonalë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë shqiptarët.

Punëtorët kërkohet të paraqesin një kërkesë tek autoritetet kompetente që shoqërohet me një deklaratë të përgjegjësisë së punëdhënësit që do t’i punësojë ata.

Zyrtarët thanë se e lidhën vendimin e shtyrjes për të përmbushur nevojat e fermerëve grekë për fuqi punëtore dhe për të siguruar procesin e prodhimit të drufrutorëve të stinës.

Disa mijëra punëtorë sezonalë shqiptarë udhëtuan drejt Greqisë dy muajt e fundit pas lejimit nga autoritetet greke të lëvizjes në kufi.

Ndërkohë Qeveria greke njoftoi se vendosi të zgjerojë masën e mbylljes se kufirit nga ora 23:00 dhe deri në orën 07:00 të mëngjesit me të gjitha doganat tokësore të vendit.

Vendimi autoriteteve greke prek pikën kufitare të Kapshticës me Shqipërinë, e cila funksiononte gjatë orëve të natës.

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas e lidhi vendimin me përhapjen e shtuar të rasteve të infektimit me koronavirus në vendet e Ballkanit. /Voa


Shtuar 6.08.2020 16:14