Lëvizja Studentore ka reaguar pas sulmit të rëndë ndaj punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup.
Përmes reagimit të saj, kjo lëvizje kërkon që rasti të hetohet deri në zbardhjen e plotë dhe drejtësia të vihet në vend. Ajo i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të mos zbatojë standarde të dyfishta, por të ndjekë procedurat ligjore deri në fund.
Të lidhura
None found
Sipas Lëvizjes Studentore, viktima është një punëtor i ndershëm dhe baba i 8 fëmijëve, i cili, pasi kishte përfunduar turnin e natës në Higjienën Komunale, u sulmua brutalisht nga një grup prej 15 personash që janë deklaruar si komitet i palës maqedonase. Për të siguruar të ardhurat e familjes, ai punon gjatë natës në Higjienën Komunale dhe gjatë ditës vijon punën në sektorin privat.
“Një njeri që sakrifikon gjithçka për familjen e tij, në vend që të marrë respekt dhe të ndihet i sigurt, u bë viktimë e dhunës. Si Lëvizje Studentore, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë në sulm dhe të garantojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të përdorë standarde të dyfishta: për njërin të jetë nënë, ndërsa për tjetrin njerkë. Pak kohë më parë, Ministria njoftoi se për ngjarjet e 28 Nëntorit janë shpallur në kërkim 13 persona, ndërsa 2 të tjerë janë privuar nga liria. Për këtë arsye shtrojmë pyetjen publike: Çfarë po ndodh me 15 personat që kanë dhunuar një baba të 8 fëmijëve? A do të identifikohen, a do të merren masa ndaj tyre dhe a do të zbatohet ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë?
Ne nuk kërkojmë privilegje për askënd. Kërkojmë drejtësi, barazi para ligjit dhe mbrojtje për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Studentore.
Lëvizja ka shprehur gjithashtu mbështetjen e saj për të dëmtuarin dhe familjen e tij, duke theksuar se asnjë pushtet nuk zgjat përgjithmonë.








