Pas protestës së sotme, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorit E.A., pas rastit kur një deputet u godit nga një punonjës policie. Vendimi u urdhërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për veprimet individuale të inspektorit, duke u mbështetur në pamjet filmike dhe faktet e mbledhura. Sipas Policisë, ai nuk kishte marrë urdhër të qëllonte me plumba gome.
Të lidhura
None found
Për të njëjtën ngjarje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore.
Në deklaratën për ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit dënon çdo formë dhune. Ajo thekson se e drejta për të protestuar nuk justifikon aktet e dhunshme, ndërsa dhuna apo provokimet nuk përligjin tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë detyrës.
Policia thotë se mbetet e vendosur të garantojë rendin dhe sigurinë publike, të mbrojë qytetarët dhe të respektojë të drejtën kushtetuese për protestë. Ajo u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të protestojnë paqësisht, duke theksuar se ndaj çdo shkeljeje të ligjit do të zbatohet parimi i tolerancës zero, pavarësisht autorit.
Sipas Policisë, si aktet e dhunës, ashtu edhe rastet e dyshuara të tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohen me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin.








