Vlora Çitaku, kryetare në detyrë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe drejtuese e Grupit Parlamentar të kësaj partie, njoftoi se nisma ligjore për Dhomat e Specializuara pritet të procedohet në Kuvend gjatë kësaj jave.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ajo bëri të ditur se ekspertët po përfundojnë ndryshimet e fundit në draft. Çitaku vuri në dukje se nisma ka nevojë për mbështetje të gjerë politike e institucionale dhe theksoi se ajo tashmë përfaqëson edhe institucionet e Kosovës, jo vetëm PDK-në.
Të lidhura
None found
Sipas Çitakut, synimi është që projektligji të shqyrtohet sa më shpejt në të dyja leximet. Ajo tha se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në diskutimet e komisioneve parlamentare dhe të shqyrtojë këshillat e rekomandimet që mund të jepen gjatë procesit.
Ajo shtoi se ligji përbën një nga mjetet që institucionet do të përdorin për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e cilësoi si vlerë të përbashkët për subjektet politike. Çitaku pranoi se PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dallime të thella dhe se kjo e fundit ka qenë kundërshtare politike e partisë së saj edhe kur ligji u procedua dhe u miratua.
Duke komentuar reagimin e Bashkimit Evropian, Çitaku tha se që në fillim pritej që nisma të mos pritej mirë nga BE-ja. Ajo kritikoi unionin, duke argumentuar se nuk ka siguruar një proces të drejtë dhe të barabartë në Dhomat e Specializuara.
Çitaku tha se Kosova e kishte përmbushur detyrimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe BE-së kur themeloi Dhomat e Specializuara, për të hetuar pretendime të rënda, përfshirë atë për trafikim organesh. Sipas saj, BE-ja nuk e ka kryer pjesën e saj të përgjegjësisë ndaj Kosovës.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit i është drejtuar drejtorisë ligjore për të marrë një opinion mbi hapat e ardhshëm. Kërkesa vjen pas përfundimit të afatit katërjavor për procedimin e raportit mbi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton pasoja për tejkalimin e këtij afati.






