Një hulumtim i ri i realizuar në Shtetet e Bashkuara ka ngritur shqetësime për lidhjen midis përdorimit problematik të kanabisit dhe shëndetit psikologjik, sidomos te gratë dhe të rinjtë. Studimi, i botuar në revistën shkencore Journal of Studies on Alcohol and Drugs, u bazua në të dhënat e më shumë se 415 mijë amerikanëve.
Sipas studiuesve, personat që konsumonin kanabis kishin 57 për qind më shumë gjasa të raportonin mendime vetëvrasëse, krahasuar me individët që nuk vuanin nga ky çrregullim. Kjo lidhje mbeti e dukshme edhe pasi u morën parasysh depresioni, shqetësimet psikologjike dhe faktorë të tjerë.
Të lidhura
None found
Këto rezultate vijnë pas një analize tjetër të rëndësishme shkencore të publikuar në tetor, e cila shqyrtoi 19 hulumtime me gati shtatë milionë pjesëmarrës. Sipas kësaj analize, përdorimi i kanabisit shoqërohej me një rrezik relativ rreth 2.5 herë më të lartë për t’u diagnostikuar më vonë me çrregullim bipolar dhe rreth dy herë më të lartë për shfaqjen e simptomave maniake ose hipomaniake.
Këto simptoma mund të përfshijnë energji të pazakontë, acarim të fortë, impulsivitet, ndryshime të befasishme të humorit dhe nevojë më të ulët për gjumë. Ekspertët këmbëngulin që t’i kushtohet më shumë vëmendje shëndetit mendor të personave që zhvillojnë varësi ose përdorim problematik të kanabisit, veçanërisht në një periudhë kur kjo substancë po bëhet gjithnjë e më e aksesueshme në shumë vende të botës.







