Përcaktimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare do të jetë në qendër të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për të martën, më 17 nëntor, në orën 15:00. Njoftimi përcakton sallën C-301 si vendin e mbajtjes së saj dhe parashikon gjithsej 11 pika për diskutim.
Mes çështjeve kryesore të parashikuara për t’u proceduar në seancën e radhës figuron leximi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027. Për shqyrtim të parë nga deputetët pritet të kalojnë gjithashtu Projektligji për Efiçiencë të Energjisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Të lidhura
None found
Axhenda përfshin edhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Në këtë bord parashikohen dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë. Pjesë e rendit të ditës është gjithashtu emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Për trajtim është parashikuar edhe rekomandimi që të shkarkohen katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në diskutim do të merret edhe kërkesa e Grupit Parlamentar të LDK-së për të zëvendësuar përfaqësuesin e këtij subjekti në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Krahas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, që janë pika të zakonshme të seancës, Kryesia do të trajtojë edhe procedimin e nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.






