Në Konferencën Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel, Mali i Zi përmbylli edhe dy kapituj të negociatave me Bashkimin Evropian. Me këtë përparim në rrugën e anëtarësimit, numri i përgjithshëm i kapitujve të mbyllur ka arritur në 23.
Mediat malazeze raportojnë se gjatë kësaj jave u mbyllën kapitujt 1 dhe 12. Ata mbulojnë përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave dhe sigurinë ushqimore, politikat veterinare e kujdesin për bimësinë.
Të lidhura
None found
Pas këtij zhvillimi, mbeten edhe 10 kapituj që duhet të përmbyllen deri në fund të vitit. Sipas planit të Brukselit, procesi negociues synohet të përfundojë deri në dhjetor 2026, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes së anëtarësimit parashikohet për qershor 2027.
Kryeministri Milojko Spajić e cilësoi mesazhin e dërguar sot si dëshmi se Mali i Zi është i përgatitur të hyjë në fazën përmbyllëse të integrimit evropian.
Ai theksoi se përparësitë e vendit mbeten të pandryshuara: reformat për sundimin e ligjit, përballja me krimin e organizuar dhe korrupsionin, forcimi i fqinjësisë së mirë dhe përmirësimi i standardeve të jetesës.
Për nëntor 2026 është parashikuar mbyllja e 5 kapitujve, mes të cilëve ata që trajtojnë energjinë, transportin dhe tatimet.
Ndërkaq, kapitujt 23 dhe 24, të konsideruar më të vështirët dhe që përfshijnë sundimin e ligjit, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, pritet të përmbyllen në dhjetor 2026.
Në mesin e nëntorit pritet që Komisioni t’ia paraqesë Këshillit të BE-së projekt-pozicionet përfundimtare të negociatave.
Teksti i Marrëveshjes së Anëtarësimit parashikohet të jetë gati në pranverë 2027. Pas votimit në Parlamentin Evropian, marrëveshja pritet të nënshkruhet në qershor 2027.
Më pas, dokumenti do të duhet të marrë ratifikimin e të gjitha 27 vendeve anëtare, si edhe të vetë Malit të Zi. Gjatë periudhës kalimtare, Podgorica do të ketë statusin e vëzhgueses në institucionet e BE-së.
Megjithatë, Brukseli nënvizon se ky kalendar mbetet orientues. Sipas paralajmërimit të tij, një kthim prapa i Malit të Zi në procesin e reformave mund të sjellë shtyrjen e anëtarësimit dhe vendosjen e masave mbrojtëse.
Nga Brukseli, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, që do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së, shprehu përkushtimin që Mali i Zi t’i përmbyllë të gjithë kapitujt brenda fundit të vitit. Ai theksoi gjithashtu se reformat duhet të vijojnë, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar.







