Aktori dhe komediani britanik Russell Brand u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe për tri sulme seksuale ndaj grave të tjera. Vendimi e përball atë me mundësinë e një dënimi të gjatë me burg.
Kur juria dha vendimin për përdhunimin e një 21-vjeçareje, 51-vjeçari uli vështrimin dhe mbylli sytë. Ai e kishte njohur gruan në vitin 2009, pas një shfaqjeje në teatrin Hammersmith Apollo.
Të lidhura
None found
Pas tetë orësh e gjysmë diskutimesh, juria e gjeti fajtor edhe për prekjen seksuale të një punonjëseje të MTV-së, në një festë të organizuar në një lokal në Soho në vitin 2004. Për akuzën se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale orale në tualetin e lokalit, ai u shpall i pafajshëm.
Dy vendime të tjera fajësie lidheshin me sulme seksuale ndaj një punonjëseje të Capital Radio-s, të cilën Brand e kishte takuar në një korridor në vitin 2005, dhe ndaj një punonjëseje të Channel 4, gjatë një masazhi të kryer me detyrim në vitin 2009.
Juria e shpalli të pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe për një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm. Bashkëshortja e tij, Laura Gallacher, e cila e kishte mbështetur përgjatë gjyqit, u pa duke qarë në sallë teksa mbante për dore një person pranë saj. Para vendimit, Brand i ishte drejtuar asaj me fjalët: “Laura, të dua”.
Pas shpalljes së vendimit, Brand u la në paraburgim. Masa e dënimit pritet të shpallet të hënën në Gjykatën e Southwark. Ndërkohë, dy gra të tjera e kanë akuzuar për përdhunim; njëra prej tyre ishte 16 vjeçe në kohën kur dyshohet se ndodhi abuzimi. Prokuroria britanike po vlerëson nëse do të ngrejë akuza të tjera penale.
Në dokumentarin Dispatches të Channel 4, që publikoi për herë të parë pretendimet ndaj Brand në vitin 2023, vajza u identifikua me pseudonimin “Alice”. Ajo ka deklaruar se një automjet i BBC-së e kishte marrë nga shkolla dhe e kishte çuar në shtëpinë e aktorit, ku më pas ishte abuzuar seksualisht.
Sipas dëshmisë së saj, Brand ishte atëherë 30 vjeç dhe, gjatë një marrëdhënieje tre mujore, e quante “kukullëza ime”. Ajo pretendon se iu desh të përdorte forcë fizike për ta penguar të kryente ndaj saj një akt seksual me detyrim.
Pretendimet lidhur me vajzën 16-vjeçare nuk ishin pjesë e çështjes që shqyrtoi juria në këtë gjyq. Përpara procesit, të paktën dy gra të tjera kishin denoncuar abuzime seksuale nga Brand, por Prokuroria vendosi ta kufizonte çështjen në gjashtë viktima. Tani po merret në shqyrtim mundësia e një gjyqi të dytë.
Përveç çështjes penale, ndaj Brand janë ngritur padi civile në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjykatën e Lartë britanike, një grua kërkon 100 mijë paund dëmshpërblim për dëme fizike të pretenduara dhe abuzim seksual. Ajo thotë se ishte 23 vjeçe kur Brand e sulmoi seksualisht në rezidencën e tij në Los Angeles, në vitin 2008.
Sipas padisë së saj, Brand e kishte shtyrë drejt shtratit dhe ishte përpjekur ta detyronte të kryente akte seksuale kundër vullnetit të saj. Një padi tjetër është ngritur në Nju Jork nga një aktore figurante e filmit romantik Arthur, të vitit 2010. Ajo e akuzon Brand se ishte ekspozuar para pjesëtarëve të stafit dhe më pas e kishte sulmuar seksualisht në tualetin e xhirimeve.
Andy Furphy, drejtuesi i hetimit, tha se vendimi mund t’u japë shtysë grave të tjera të raportojnë abuzime seksuale. Ai vlerësoi guximin, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e grave që denoncuan atë që u kishte ndodhur.
Furphy shtoi se Brand kishte shfrytëzuar gratë duke përdorur ndikimin, statusin dhe famën e tij. Sipas tij, dënimi duhet të përcjellë mesazhin se askush nuk qëndron mbi ligjin, pavarësisht famës apo pushtetit që ka.
Russell Brand i ka mohuar të gjitha akuzat. Vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm në çështjen penale të nisur pas publikimit të pretendimeve për abuzime seksuale në vitin 2023.








