Mikel Lopez, “mini-Haaland” i Real Madridit: 148 gola për sulmuesin 15-vjeçar me gjatësi 1.92 metra

Në La Fábrica, akademinë e Real Madridit, Mikel Lopez po spikat si një nga emrat më premtues të brezit të ri. Sulmuesi 15-vjeçar i skuadrës Cadete A tërheq vëmendjen me përmasat fizike dhe nuhatjen e jashtëzakonshme për të gjetur rrjetën.

Me një gjatësi prej 1.92 metrash dhe një profil që ndërthur forcën fizike me aftësinë shënuese, López ka marrë nofkën “mini-Haaland”. Shtatlartësia i jep epërsi të veçantë në përballjet në ajër dhe në zonën e penalltisë.

Të lidhura

None found

Bilanci i tij me klubin spanjoll ka mbërritur në 148 gola gjatë pesë sezoneve. Kufirin e 100 realizimeve e kishte kapërcyer në mars të vitit 2025, ndërsa më pas e ka çuar totalin në kuotën aktuale.

Gjatë sezonit të kaluar, sulmuesi shënoi 37 herë për Cadete B. Një tjetër edicion i jashtëzakonshëm për të ishte ai 2024/25: me fanellën e Infantil A realizoi 43 gola, duke u renditur si shënuesi më i mirë i të gjithë akademisë madrilene.

Atë sezon, Infantil A u shpall kampion dhe regjistroi gjithsej 138 gola, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve mbante firmën e Lópezit. Në vitin 2023, ai kishte realizuar 38 gola për Infantil B, ndërsa në sezonin 2022/23 kishte shënuar edhe 30 të tjerë si lojtar i Alevín A.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendje edhe përtej futbollit të klubeve. Me Spanjën U-15, López fitoi Kupën e Botës së kësaj grupmoshe dhe kontribuoi me gjashtë gola gjatë turneut.

Më herët, bilanci i sulmuesit me këtë përfaqësuese ishte 11 ndeshje dhe gjashtë realizime. Në shtator erdhi edhe debutimi me Spanjën U-16, në dy takime miqësore përballë Italisë.

Megjithatë, cilësitë e Lópezit nuk kufizohen te golat dhe gjatësia prej 1.92 metrash. Mediumi spanjoll Marca vlerëson tek ai edhe teknikën, koordinimin në lëvizje, shpejtësinë dhe aftësinë për të bashkëpunuar me shokët e skuadrës.

Përveç përfundimit të aksioneve, ai mund të përfshihet në ndërtimin e lojës dhe t’u krijojë mundësi shënimi bashkëlojtarëve. Në arsenalin e tij përfshihen gjithashtu një goditje e fortë dhe rrezikshmëria e lartë në lojën ajrore.

Duke njohur prej kohësh potencialin e sulmuesit, Real Madridi ia zgjati kontratën që në nëntor të vitit 2025, me synimin për të siguruar të ardhmen e tij dhe për të mbajtur larg interesimin e klubeve të tjera. Një tjetër moment i rëndësishëm pritet në vitin 2027, kur ai të mbushë 16 vjeç dhe të mund të firmosë kontratën e parë si profesionist.

Mikel Lopez shihet nga klubi madrilen si një investim me peshë për të ardhmen. Qëndrimi i tij në akademi është siguruar tashmë; në vitet që vijnë do të shihet nëse “mini-Haaland” do të mund ta vazhdojë rrugëtimin deri te skuadra e parë.


Shtuar më 2.11.2026 21:08