Super Puna për Gratë”, Kurti njofton shefen e re të IOM-it për programin e planifikuar

Planet për programin “Super Puna për Gratë” ishin pjesë e bisedës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me Marian Benbow Pfisterer, shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë. Takimi u përqendrua edhe te migrimi, zgjerimi i bashkëpunimit dhe mundësitë për punësimin e grave.

Duke folur për barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave në tregun e punës, Kurti e njohu përfaqësuesen e IOM-it me nisjen e planifikuar të këtij programi. Nisma parashikon mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat në Kosovë.

Të lidhura

None found

Në postimin e tij për takimin, kryeministri njoftoi se Benbow Pfisterer i kishte përcjellë urimet e organizatës për krijimin e Qeverisë së re dhe për zgjedhjen e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Sipas Kurtit, palët e çmuan pozitivisht bashkëpunimin e zhvilluar deri tani dhe shprehën vullnetin për ta shtrirë më tej në fusha me interes të ndërsjellë.

Në diskutimin për migrimin, kreu i Qeverisë vuri në pah rolin e tij në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe në fuqizimin e marrëdhënieve me diasporën.

Kurti çmoi po ashtu bashkëpunimin me IOM-in për bashkërendimin e angazhimeve me shtetet e origjinës, të tranzitit dhe të destinacionit. Këto përpjekje synojnë mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe vënien e dijeve e të përvojës së tyre në shërbim të zhvillimit të vendit.

Në përmbyllje të takimit, kryeministri i uroi Marian Benbow Pfisterer marrjen e detyrës së re dhe i shprehu mirënjohjen IOM-it për partneritetin me institucionet e Kosovës.


Shtuar më 2.11.2026 19:22