Qeveria e Kosovës prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të arrijë në 4,27 miliardë euro. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se 908 milionë euro nga kjo shumë janë planifikuar si financim i drejtpërdrejtë për komunat.
Sipas Kurtit, projektbuxheti është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro mbi buxhetin bazë të atij viti. Ai e cilësoi shumën e ndarë për komunat si rekord, duke ia atribuuar rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.
Të lidhura
None found
Kryeministri tha se, në projektbuxhetin për 2027, ATK-ja pritet të mbledhë të hyra sa 60 për qind e shumës që parashikohet të mbledhë dogana. Ai përmendi edhe rritjen ekonomike të këtij viti, e cila, pavarësisht sfidave me të cilat po përballet Kosova krahas pjesës tjetër të botës, ka arritur në 5,4 për qind në tremujorin e parë dhe 4,1 për qind në të dytin. Sipas Kurtit, këto shifra e rendisin Kosovën ndër vendet me rritjen më të shpejtë në rajon e më gjerë dhe tregojnë vazhdimësinë e rritjes së buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Pas miratimit, projektligji duhet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim. Ndërkohë, deputetët e LDK-së e kanë kritikuar Qeverinë, duke thënë se ka shkelur afatin ligjor për procedimin e buxhetit të vitit 2027.




