Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i kanë kërkuar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë ndikim mbi Serbinë për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë. Këtë e bëri të ditur kryetarja e komisionit, Arbreshë Kryeziu, raporton KosovaPress.
Pas mbledhjes së komisionit, Kryeziu tha se kërkesa është mbështetur nga të gjithë deputetët. Sipas saj, nëse përgjegjësit vazhdojnë të lëvizin të lirë në Serbi dhe nuk përballen me drejtësinë, mund të krijohen kushtet për sulme të ngjashme në të ardhmen.
Të lidhura
None found
Ajo shpjegoi se deputetët kanë kërkuar që kjo çështje të ngrihet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët, sipas saj, kanë raportet e nevojshme për të përcaktuar autorët dhe përgjegjësit e sulmit. Kërkesa ndaj Serbisë vjen pasi vendi ka përfunduar një proces të ri zgjedhor dhe pritet të ketë një përbërje të re politike.
Në takim është folur edhe për forcimin e bashkëpunimit parlamentar me Gjermaninë. Kryeziu tha se ambasadori është shprehur i gatshëm t’i çojë përpara kërkesat e komisionit, ndërsa deputetët synojnë të nisin takime me homologët e tyre nga Bundestagu dhe t’i ftojnë ata në Kosovë.
Sipas Kryeziut, takimi i parë i komisionit me ambasadorin e ri gjerman ishte kryesisht njohës. Deputetët i paraqitën atij qëndrimet e tyre për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe kërkuan vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë.
Komisioni kërkoi që Kosova të mbetet në agjendën gjermane, si për rrugën e integrimit evropian, ashtu edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe NATO-n. Kryeziu i cilësoi këta mekanizma veçanërisht të rëndësishëm në një kohë kur Evropa po përballet me një situatë shumë të brishtë.






