Policia e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar armë e municion në një hambar në fshatin Kleçkë të komunës së Zubin Potokut, pas informatave të dhëna nga qytetarët.
Operacioni është zhvilluar më 31 tetor, pasi autoritetet kishin marrë të dhëna se në atë lokacion mund të ishin fshehur armë dhe mjete të tjera ilegale.
Të lidhura
None found
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur katër pushkë gjuetie, mes tyre një gjysmëautomatike dhe një dytytëshe, si dhe një armë automatike.
Po ashtu, janë sekuestruar një revole TT me karikator të zbrazët, 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë dhe dy karikatorë të zbrazët për armë të gjata.
Deri tani nuk është arrestuar asnjë person. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ish-hetuesi Agim Rexhepi e ka vlerësuar sekuestrimin si tregues të vazhdimit të problemit të armëmbajtjes ilegale, të cilin e konsideron shqetësim serioz për sigurinë publike dhe stabilitetin në vend.
Rexhepi ka përshëndetur punën dhe reagimin profesional të Policisë së Kosovës, por ka paralajmëruar se raste të tilla nuk duhet të mbeten vetëm ndërhyrje të veçuara.
“Dua ta përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin dhe profesionalizmin e dëshmuar. Megjithatë, raste të tilla duhet të shihen si një alarm që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të të gjitha institucioneve të sigurisë, e jo vetëm si operacione të izoluara”, ka deklaruar ai.
Sipas ish-hetuesit, rreziku i armëve ilegale nuk lidhet vetëm me faktin se ato ruhen në hambarë, shtëpi apo objekte të braktisura. Ato mund të përfundojnë edhe në duart e personave të papërgjegjshëm ose të grupeve kriminale.
“Armët ilegale nuk janë thjesht mjete të fshehura nëpër hambarë, shtëpi apo objekte të braktisura. Ato paraqesin rrezik potencial për jetën e qytetarëve, rendin publik dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës”, është shprehur Rexhepi.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që të shtojnë kontrollet dhe hetimet, sidomos në zonat ku ka informacione ose dyshime për ruajtje dhe depozitim të armëve ilegale.
Rexhepi ka theksuar se këto veprime duhet të kryhen në përputhje me ligjin, mbi bazën e inteligjencës policore dhe të dhënave të besueshme, pa trajtim të diferencuar apo kompromis ndaj shkelësve të ligjit.
“Institucionet e sigurisë duhet t’i intensifikojnë kontrollet dhe hetimet, veçanërisht në zonat ku ka informacione apo dyshime për mbajtje dhe depozitim të armëve ilegale. Veprimet duhet të mbështeten në ligj, inteligjencë policore dhe informacione të besueshme, pa dallime e pa kompromis ndaj askujt që shkel ligjin”, ka thënë ish-hetuesi.
Një rol të rëndësishëm, sipas tij, ka edhe bashkëpunimi i qytetarëve me organet e sigurisë. Duke iu referuar faktit se edhe aksioni në Zubin Potok u mundësua nga informatat e qytetarëve, ai ka kërkuar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të fuqizohet.
“Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë çdo informacion për armët ilegale, ndërsa duhet t’u garantohet trajtimi konfidencial i të dhënave dhe siguria e tyre”, ka deklaruar Rexhepi.
Përveç kontrolleve nga policia, ai ka propozuar edhe organizimin e fushatave vetëdijesuese dhe krijimin e programeve ligjore për dorëzimin vullnetar të armëve, me synim reduktimin e armëve të mbajtura pa autorizim.
Rexhepi ka nënvizuar se siguria nuk forcohet përmes posedimit të armëve ilegale, por përmes zbatimit të ligjit dhe besimit tek institucionet përgjegjëse.
Në mesazhin përmbyllës, ish-hetuesi ka kërkuar që lufta ndaj këtij fenomeni të mos kufizohet në reagime pas zbulimit të rasteve, por të trajtohet si një përparësi e vazhdueshme nga institucionet dhe qytetarët.
“Kosova ka nevojë për më shumë siguri, jo për më shumë armë ilegale! Nuk duhet të presim që një armë e fshehur të përdoret në një krim apo tragjedi për ta kuptuar rrezikun që ajo paraqet”, ka përfunduar Rexhepi.






