Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Zahir Pajazitin, në ditën e 64-vjetorit të lindjes së tij.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama ka çmuar rolin e Pajazitit në organizimin dhe udhëheqjen e rezistencës, duke vënë në pah sakrificën e tij në shërbim të lirisë së popullit shqiptar.
Të lidhura
None found
Sipas tij, figura dhe vepra e heroit do të mbeten përgjithmonë të lidhura me themelet e Kosovës së lirë, ndërsa shembulli i tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat.
Rama shkroi se figurat e mëdha të kombit kanë vetëm ditëlindje dhe se në këtë përvjetor nderohet kujtimi i Zahir Pajazitit.
Ai theksoi se Zahiri i dha rezistencës organizim, drejtim dhe fuqinë e shembullit personal.
Emri i Pajazitit, vijoi Rama, përfaqëson dinjitetin e qëndresës shqiptare, nderin e luftës çlirimtare dhe peshën e një sakrifice që mbetet detyrim përtej çdo përvjetori.
Kosova e lirë do ta ketë gjithmonë Zahir Pajazitin në themelet e saj. Brezat do të shohin te vepra e tij modelin e një njeriu që, në një moment vendimtar të historisë, ia kushtoi tërë jetën lirisë së popullit të vet.
Rama e përmbylli mesazhin me thirrjen për lavdi të përjetshme për heroin Zahir Pajaziti.






