Gëzim Berisha, i cili deri pak orë më parë drejtonte Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, është arrestuar nga Policia e Kosovës të premten në mbrëmje.
Ndalimi i tij nuk lidhet me detyrën që mbante në institucionin shëndetësor, por me dyshimet për dhunë në familje.
Të lidhura
None found
Bashkëshortja e Berishës e ka denoncuar në Polici, duke pretenduar se ai e kishte kërcënuar me fjalët se do t’i ndodhte e njëjta gjë si Arlinda Zekajt.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, Berisha është ndaluar për 48 orë.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’”, deklaroi Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas të dhënave për rastin, kjo nuk është hera e parë që Berisha dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Ajo kishte raportuar më herët se përballej në mënyrë të vazhdueshme me dhunë psikike. Çifti nuk jeton së bashku prej disa muajsh.
Pas përfshirjes së drejtuesit të një institucioni shëndetësor në një procedurë për vepra penale, ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
SHSKUK njoftoi se Gëzim Berisha është suspenduar nga pozita e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.
“Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka autorizuar menjëherë Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për të verifikuar urgjentisht këto pretendime. Për SHSKUK-në, këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese. Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë. Në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranohen nga organet kompetente, SHSKUK do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Ngjarja është bërë publike në një periudhë kur në Kosovë po zhvillohen protesta të vazhdueshme, përmes të cilave kërkohet përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.







