Aleanca për Shqiptarët vlerëson se pakënaqësia e studentëve shqiptarë është e arsyeshme pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që 12 provimet teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dy provimet praktike të mbahen vetëm në maqedonisht.
ASH thekson se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar: provimi i jurisprudencës duhet të organizohet i tëri në gjuhën shqipe, në zbatim të të drejtave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, ndërsa studentët presin një zgjidhje, ministri Shasivari ka propozuar një variant të pjesshëm dhe ka paralajmëruar se çështja mund t’i dërgohet Komisionit të Venecias. ASH e konsideron të papranueshme që kjo çështje të shtyhet më tej, pas dy gjeneratash pritjeje.
ASH thotë se Maksim Dimitrievski, kryetar i ZNAM-it dhe partner në koalicionin qeveritar, e ka cilësuar gjuhën maqedonase si vijë të kuqe për partinë e tij dhe ka deklaruar se nuk do të lejojë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Për këtë parti, qëndrimi i Dimitrievskit, së bashku me mungesën e vendosmërisë së VLEN-it, dëshmon raportin e forcave brenda Qeverisë.
“ZNAM-i, edhe pse përfaqësohet me më pak deputetë, arrin të vendosë kushte dhe t’i mbrojë publikisht pozicionet e veta. Ndërkohë, VLEN-i, pavarësisht peshës më të madhe parlamentare, vazhdon të kërkojë kompromise edhe për çështje që i kishte paraqitur si premtime kryesore para qytetarëve. Si është e mundur që Dimitrievski, me më pak deputetë, të ketë më shumë ndikim në Qeveri sesa të gjithë përfaqësuesit e VLEN-it së bashku?”, shprehen nga ASH.
Ata kujtojnë se VLEN kishte premtuar që provimi i jurisprudencës dhe provimet profesionale të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Megjithatë, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, studentëve po u ofrohet një zgjidhje e pjesshme, ndërsa partnerët maqedonas të koalicionit po vendosin vija të kuqe dhe po paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen.
“Kjo situatë ngre dyshime serioze mbi ndikimin e vërtetë të VLEN-it në procesin e vendimmarrjes qeveritare. Nëse një partner me më pak deputetë mund t’i imponojë qëndrimet e tij, atëherë pse VLEN-i nuk arrin të sigurojë përmbushjen e një kërkese kaq të rëndësishme për studentët shqiptarë? Pas dy gjeneratash pritjeje dhe më shumë se dy vitesh qeverisjeje, studentët meritojnë një përgjigje përfundimtare”, deklarojnë nga ASH.
Aleanca për Shqiptarët i kërkon VLEN-it të mbajë përgjegjësi për premtimet e dhëna dhe të dëshmojë se ka ndikimin e duhur për t’i realizuar ato. Partia shpreh mbështetje të plotë për kërkesën e studentëve dhe u bën thirrje ministrit Shasivari dhe përfaqësuesve të VLEN-it ta tërheqin propozimin aktual, si dhe të ndërmarrin menjëherë hapat e nevojshëm që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe.
“Dimitrievski i ka përcaktuar vijat e kuqe të ZNAM-it. Tani është koha që VLEN-i të tregojë nëse ka guximin politik për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve me të njëjtën vendosmëri”, thonë nga ASH.








